Shteti i Kosovës ka dështuar sërish ta vë para drejtësisë një ndër reperët problematik të showbizit shqiptar, Rigels Rajku, i njohur si Noizy. Loja e tij dhe ‘kurthi’ në të cilin dyshohet se ranë organet e rendit, ia mundësoi atij që edhe mbrëmë të mbante koncertin e radhës edhe pse është lëshuar urdhërarrest ndaj tij, raporton Gazeta Sinjali.
Përfshirja e tij në rrahjen brutale në një diskotekë në Pejë para disa ditësh nuk i shkaktoi fare problem që koncertet t’i vazhdojë, por mashtroi me njoftime për “anulime”.
Noizy arriti që mbrëmë të këndojë në diskotekën “Venom”, edhe pse kjo e fundit gënjeu publikisht se reperi s’do të marrë pjesë për arsye ligjore, raporton Gazeta Sinjali.
Për ligjin, organet e rendit e shtetin, që u vu në lajthitje, reperi siç duket nuk do t’ia dijë dhe kjo shpërfaqet me disa video që u publikuan nga nata e mbrëmshme dhe erdhën në adresë të redaksisë.
Reperi shihet duke performuar dhe këtë e dëshmon fillimisht skena e re, që ka ndryshuar së fundmi në diskotekën “Venom” dhe pjesëmarrësit të cilët janë të njëjtë si në videot ku shihet Noizy, ashtu edhe në pamjet e publikuara në “Instagram” nga diskoteka.
Sinjali e ka kontaktuar “Venom” për ta pyetur përse Noizy ka performuar mbrëmë, pavarësisht se diskoteka kishte njoftuar për anulim të koncertit, por vajza e cila lajmërua në telefon tha se Gazeta do të kontaktohet nga drejtuesit, pasi ajo merret vetëm me rezervime.
Por, një gjë e tillë nuk ka ndodh deri në publikimin e lajmit.
Pamjet brutale dhe detajet e natës kritike ku u rrah Muhamed Iseni, i njohur si Medi dhe një familjar i tij i gjeni më poshtë: