Vrasja e 21-vjeçares në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, çka dihet deri tash?

Një grua është vrarë dje në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj. Në këtë rast ka mbetur i plagosur edhe vëllau i 21-vjeçares. Gazeta Express ju sjell një përmbledhje të krejt asaj që dihet deri tash rreth rastit, si dhe reagimet nga krerët e institucioneve.

Një rast tragjik ka ndodhur dje pasdite në Ferizaj, ku një 21-vjeçare me inicialet E.C, është vrarë në objektin e Qendrës për Punë Sociale. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, një 36-vjeçar me inicialet V.A.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të ish-bashkëshortes së tij dhe vëllait të saj të mitur, të cilin e ka plagosur.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur”, ka konfirmuar Policia.

36-vjeçari ka ikur nga vendi i ngjarjes, por i njëjti është arrestuar nga Policia pas rreth gjysmë ore nga vrasja.

“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A ( M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”, ka njoftuar Policia.

Për motivin e vrasjes ka folur Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Jasharaj ka deklaruar për Gazetën Express se dyshimet janë që gruaja është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshje.

“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi [ish-bashkëshorti] është arrestuar”, ka deklaruar Jasharaj.

Detaje rreth rastit ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Sipas Aliut, viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni.

“Dorasi është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, ku me këtë rast i përgëzojmë për efikasitetin e lartë, njëlloj edhe ekipet shëndetësore për reagimin e shpejt e profesional. Presim nga institucionet e drejtësisë që pas hetimeve, me forcën e ligjit t’i japin dënim meritor dorasit”, ka deklaruar Aliu.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar dënim maksimal për vrasësin, derisa i ka shprehur ngushëllime familjes.

“Edhe një përkujtim se këta vrasës mizor të cilët ia kanë mësyer të shkatërrojnë jo veç jetën e grave, por edhe thelbin e shoqërisë sonë mund të ndalen vetëm nëse të gjithë bashkohemi e rizgjohemi si shoqëri kundër këtij fenomeni të tmerrshëm. Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani.

Edhe Kryeministri Albin Kurti e ka dënuar ashpër këtë krim dhe ka kërkuar që drejtësia të veprojë pa vonesa.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje. Ngushëllime familjes, të afërmëve dhe miqve të saj”, ka shkruar Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se do të kujdeset që të ndërmarren të gjitha veprimet që u takojnë si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar.

“Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë. I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së të ndjerës ndërsa të plagosurit i uroj shërim të shpejtë!”, thuhet në postimin e Sveçlës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptohen të gjitha rrethanat dhe të ndërmerren veprimet sipas kompetencës.

“E tronditur nga lajmi për vrasjen e gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal. Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve”, ka shkruar Haxhiu.

Related Posts

Santiana: I fali pesë vaktet, lidhja ime me Zotin është diçka personale

Në një intervistë të fundit, Santiana Maloku ka ndarë me sinqeritet dhe ndjenjë detaje të thella nga jeta e saj personale. Pasi u përfol shumë për shkak…

Basha-Haradinajt: Vuçiqi po kërkon terrenin si me juve, ku e ka pas Radojqiçin shef në veri

Pas konferencës së djeshme të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka reaguar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai e ka fajsuar Vuçiqin për situatën në Veri, ndërkohë…

Besimtare myslimane dhe jetë luksoze – 19-vjeçarja shqiptare që ka ndezur polemikat

Hatixhe Brika, është vetëm 19 vjeç. Por ajo është kthyer në një përsonazhe të njohur në rrjetet sociale, teksa së fundmi i është hequr patenta, si dhe…

Krasniqi: Ura mbi lumin Ibër do të hapet vetëm në koordinim me KFOR-in

“Urën do ta hapim vetëm në koordinim me KFOR-in”, kështu tha ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Për Arbëria.Tv, ai i është kundërpërgjigj presidentit të Serbisë, Vuçiq, kur…

VIDEO/ Pësoi apo jo aksident? Meriton Mjekiqi sqaron ndjekësit

Meriton Mjekiqi i ka demantuar lajmet në të cilat thuhej se ai ka pësuar aksident. Teksa falenderon të gjithë për interesimin ai thotë se është duke u…

Heidi vulosë ndarjen nga Romeo?

Një nga ngjarjet më të përfolura të medias rozë gjatë ditëve të fundit ka qenë ndarja e përfolur mes Romeo Veshajt dhe Heidi Bacit. Prej ditësh po…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *